
24 pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës certifikohen në aftësi operative në kampin “Vrella”
Një grup prej 24 pjesëtarësh të Njësive Speciale Operative të Policisë së Kosovës janë certifikuar në fushën e “Aftësive të veçanta policore operative”, pas përfundimit të një trajnimi intensiv të zhvilluar në kampin “Vrella”.
Sipas njoftimit të Policisë, trajnimi është realizuar nga një konsulent ndërkombëtar në bashkëpunim me OSBE-në, e cila ka ofruar mbështetjen e ekspertëve të jashtëm.
“Ky trajnim u organizua në bazë të nevojave të identifikuara nga vetë Njësitë Speciale dhe u mbështet nga ekspertë të jashtëm të ofruar nga OSBE, partner strategjik i Policisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve specialistike”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se aktiviteti ndihmon drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit dhe gatishmërisë operative të njësive, duke forcuar standardet dhe kapacitetet e tyre për operacione të veçanta policore.
Certifikimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në fuqizimin e aftësive specialistike të strukturave elitare të Policisë së Kosovës.


