14 OJQ: Qeveria në detyrë ka shkelur Kushtetutën me miratimin e buxhetit 2026

14 OJQ: Qeveria në detyrë ka shkelur Kushtetutën me miratimin e buxhetit 2026

Katërmbëdhjetë organizata joqeveritare (OJQ) kanë reaguar ashpër ndaj veprimit të qeverisë në detyrë, duke e cilësuar të kundërligjshëm procesin e procedimit dhe miratimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.

Sipas reagimit të përbashkët, ky veprim bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi në proces kanë votuar persona që janë të certifikuar si deputetë të Kuvendit, gjë që, sipas tyre, është në kundërshtim me parimet ligjore.

“Një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet. Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, nënshkruesit e projektligjit duhet të jenë zëvendëskryeministra apo ministra që nuk janë njëkohësisht deputetë”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.

Sipas tyre, çdo veprim që anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, ashtu siç ndodhi sot.

OJQ-të theksojnë se një qasje e tillë dëmton parimin e sundimit të ligjit dhe minon procesin e miratimit të buxhetit në mënyrë demokratike.

Ato kanë kritikuar edhe përmbajtjen e vetë projektligjit, duke thënë se është përgatitur pa qasje gjithëpërfshirëse institucionale, çka, sipas tyre, thellon krizën politike dhe pamundëson arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike.

“Një veprim i tillë cenon parimet demokratike, veçanërisht në një periudhë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet komunale dhe të përgjithshme,” thuhet më tej në reagim.

OJQ-të nënshkruese të reagimit janë:

Instituti GAP, GLPS, KCSF, INDEP, EPIK, CDF, SHL-Kosova, YMCA Kosova, TOKA, KLGI, BGF, QKSGJ, CBM dhe ATRC.

Share This