11 shtatori 2001, historia e një tragjedie që nuk u shua me kohën

11 shtatori 2001, historia e një tragjedie që nuk u shua me kohën

Mëngjësi i kthjellët i së martës, më 11 shtator 2001, u shndërrua në një nga ditët më tragjike dhe më përcaktuese të historisë moderne të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një seri sulmesh të koordinuara terroriste, goditën zemrën e Amerikës, duke marrë jetën e 2 977 njerëzve, pa përfshirë 19 terroristët që rrëmbyen avionët.

Sot, 25 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkujtojnë viktimat e 11 shtatorit, ndërsa emrat e tyre vazhdojnë të lexohen çdo vit në ceremonitë përkujtimore në Nju-Jork.

Në ceremonitë e sotme merr pjesë edhe Presidenti Donald Trump, i cili po përkujton 25-vjetorin në Pentagon, një prej tre vendeve të goditura më 11 shtator 2001.

Gjithçka nisi pak para orës 9:00 të mëngjesit

Në orën 8:46, avioni i “American Airlines”, Fluturimi 11, i rrëmbyer nga pesë terroristë të lidhur me al-Kaedën, u përplas me Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork.

Avioni goditi katet 93 deri në 99 të ndërtesës. Në ato çaste, shumë njerëz ende besonin se bëhej fjalë për një aksident tragjik.

Por vetëm 17 minuta më vonë, në orën 9:03, avioni i “United Airlines” Flututimi 175, u përplas me Kullën Jugore.

Në atë moment u bë e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përballeshin me një sulm të koordinuar.

Dy avionë pasagjerësh ishin shndërruar në armë dhe ishin përplasur me dy kullat, simbol të fuqisë ekonomike amerikane.

Në Nju-Jork nisi një operacion masiv shpëtimi. Qindra zjarrfikës, policë dhe punonjës të emergjencave u drejtuan drejt kullave, ndërsa mijëra njerëz përpiqeshin të largoheshin nga ndërtesat.

Në kompleksin e Qendrës Botërore të Tregtisë ndodheshin në atë mëngjes, rreth 16 400 deri në 18 000 njerëz, shumica e të cilëve arritën të evakuoheshin.

Në orën 9:37, sulmi goditi Pentagonin

Avioni i “American Airlines”, Fluturimi 11, u përplas me pjesën perëndimore të Pentagonit, selisë së Departamentit amerikan të Mbrojtjes, pranë Uashingtonit.

Në avion ndodheshin 59 persona, ndërsa 125 persona në Pentagon humbën jetën.

Në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane po përpiqeshin të kuptonin përmasat e sulmit.

Në orën 9:42, Administrata Federale e Aviacionit urdhëroi ndalimin e të gjitha fluturimeve mbi territorin kontinental të SHBA-së. Mijëra avionë u devijuan drejt aeroporteve në SHBA dhe Kanada.

Më pas erdhën momentet më dramatike

Në orën 9:59, Kulla Jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë u shemb. Vetëm 56 minuta më parë ajo ishte goditur nga avioni.

Ndërkohë, avioni i “United Airlines”, Fluturimi 93 po drejtohej drejt Uashingtonit.

Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit kishin mësuar për sulmet e tjera përmes telefonatave dhe lajmeve dhe kuptuan se avioni i tyre ishte pjesë e të njejtit komplot.

Ata vendosën të përballeshin me rrëmbyesit

Në orën 10:03, avioni u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, në Pensilvani. Nuk e arriti dot objektivin e tij.

Sot, pasagjerët dhe ekuipazhi i Fluturimit 93 kujtohen si njerëzit që u përpoqën të merrnin kontrollin e avionit dhe penguan një tjetër goditje në tokën amerikane.

Në orën 10:28, u shemb Kulla Veriore

Më pak se dy orë pas goditjes së parë, të dy kullat binjake ishin kthyer në rrënoja.

Shembja e tyre shkatërroi edhe ndërtesa të tjera të kompleksit të “World Trade Center”.

Nju-Jorku u shndërrua në një zonë të madhe rrënojash, tymi dhe pluhuri. Mijëra zjarrfikës, policë, mjekë, ekipe shpëtimi dhe vullnetarë nisën operacionin e kërkim-shpëtimit.

Sulmet shkaktuan 2 977 viktima, ndërsa mes tyre ishin edhe 441 punonjës të emergjencave, një nga humbjet më të mëdha të jetëve të personelit të shpëtimit, në një ditë të vetme në historinë amerikane.

Por 11 shtatori nuk përfundoi atë ditë

Pas sulmeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynë në një periudhë të re. Lufta kundër terrorizmit u bë prioriteti kryesor i politikës amerikane të sigurisë.

Administrata e Presidentit George W. Bush nisi luftën në Afganistan kundër talebanëve dhe al-Kaedës.

Më pas, në vitin 2003, SHBA-ja pushtoi Irakun. Sulmet sollën gjithashtu ndryshime të mëdha në mënyrën se si Amerika kontrollonte kufijtë, aeroportet, inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.

U krijua edhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare

11 shtatori ndryshoi edhe mënyrën se si udhëton bota.

Kontrollet në aeroporte u bënë shumë më të rrepta, ndërsa lufta kundër terrorizmit u shndërrua në një çështje qendrore të politikës ndërkombëtare.

Por një nga trashëgimitë më të dhimbshme të 11 shtatorit është ajo që vazhdoi shumë kohë pas shembjes së kullave.

Mijëra persona që morën pjesë në operacionet e shpëtimit, pastrimit dhe rikuperimit u ekspozuan ndaj pluhurit dhe substancave toksike në zonën e “World Trade Center”. Shumë prej tyre u përballën më vonë me sëmundje të rënda.

Edhe sot, pas 25 vitesh, pasojat shëndetësore vazhdojnë të shfaqen

Një studim i madh i ri do të fokusohet te njerëzit që ishin fëmijë ose ende në barkun e nënës dhe jetonin apo ndiqnin shkollën pranë “World Trade Center” në kohën e sulmeve.

Rreth 25 000 fëmijë ndodheshin në zonën përreth dhe shumë prej tyre u ekspozuan ndaj pluhuriet toksik.

Sot, Amerika ndalet për të kujtuar

Në Nju-Jork, Pentagon dhe Shanksville zhvillohen ceremonitë përkujtimore. Në ceremoninë në “World Trade Center” kujtohen momentet kryesore të asaj dite, përmes momenteve të heshtjes në oraret kur u goditën avionët dhe kur u shembën kullat.

Në Pentagon, Presidenti Donald Trump merr pjesë sot në ceremoninë e 25-vjetorit të 11 shtatorit.

Është viti i dytë radhazi që Trump e përkujton përvjetorin në Pentagon.

Ndërkohë, në Nju-Jork, ceremonitë zhvillohen me pjesëmarrjen e familjarëve të viktimave, ndërsa në Pensilvani përkujtohen 40 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të Fluturimit 93.

25 vjet më vonë, 11 shtatori mbetet më shumë se një datë në kalendarin amerikan

Është kujtimi i 2 977 njerëzve që humbën jetën, i zjarrfikësve dhe policëve që vrapuan drejt rrezikut ndërsa të tjerët përpiqeshin të largoheshin, i pasagjerëve që u përpoqën të ndalonin rrëmbyesit dhe i miliona njerëzve, që panë një mëngjes të zakonshëm të shndërrohej në një nga ditët që ndryshuan historinë.

Amerika e përkujton sot 11 shtatorin me një premtim që është përsëritur për 25 vjet: “Të mos harrojë”. /atsh/

Share This