Zyrtari izraelit: Do ndalojmë kalimin e ndihmave humanitare nga ajri mbi Gazë

Zyrtari izraelit: Do ndalojmë kalimin e ndihmave humanitare nga ajri mbi Gazë

Një zyrtar izraelit deklaroi të shtunën se Izraeli do të ndalojë hedhjet e ndihmave humanitare nga ajri mbi qytetin e Gazës dhe do të zvogëlojë hyrjen e kamionëve të ndihmave në veri të Rripit të Gazës, ndërsa përgatitet të zgjerojë ofensivën ushtarake në qytetin e Gazës për të dobësuar Hamasin. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për shkak të mungesës së autorizimit për të komunikuar me median, transmetojnë mediat izraelite.

Të shtunën, ushtria izraelite raportoi se shtatë ushtarë u plagosën kur një mjet i blinduar, në të cilin po udhëtonin, kaloi mbi një pajisje shpërthyese në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës. Një ushtar u plagos mesatarisht, ndërsa gjashtë të tjerë pësuan lëndime të lehta. Ndërsa të premten, Izraeli e shpalli qytetin e Gazës zonë luftarake, duke e cilësuar atë si një bastion të Hamasit dhe duke theksuar se një rrjet tunelesh mbetet aktiv, pavarësisht disa operacioneve të mëparshme në zonë gjatë luftës gati 23-mujore.

Po atë ditë, Izraeli njoftoi se “pauzat humanitare” të vendosura kohët e fundit, të cilat ishin ndërprerje 10-orëshe të aktivitetit ushtarak për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmave, nuk do të zbatohen më në qytetin e Gazës.

Këto pauza ishin pjesë e masave të marra muajin e kaluar për të adresuar rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe krizën e urisë në Gaza, pas shqetësimeve ndërkombëtare. Masat përfshinin gjithashtu hapjen e korridoreve të reja të ndihmave dhe operacione të hedhjeve nga ajri.

Nuk është e qartë se kur do të hyjë në fuqi ndalimi i ndihmave dhe kur do të ndalen plotësisht hedhjet nga ajri. Që prej disa ditësh, nuk ka pasur hedhje ndihmash në të gjithë Gazën, ndryshe nga hedhjet pothuajse të përditshme gjatë javëve të fundit.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment të mediave izraelite, lidhur me hedhjet nga ajri ose mënyrën se si do të sigurojë ndihma për palestinezët ndërsa intensifikon ofensivën.

Të premten, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, u bëri thirrje palestinezëve të largohen drejt jugut, duke e quajtur evakuimin “të pashmangshëm”.

Megjithatë, grupet e ndihmave paralajmëruan se një evakuim në shkallë të gjerë i qytetit të Gazës do të përkeqësonte krizën humanitare. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar deklaroi të shtunën se çdo përpjekje për të evakuuar qytetin e Gazës do të vinte në rrezik qindra mijëra njerëz, duke e quajtur idenë “të pamundur” dhe “të pakuptueshme”. Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, tha se një evakuim masiv nuk mund të kryhet në mënyrë të sigurt dhe dinjitoze në kushtet aktuale. /rtsh/

Share This