Vendos Barcelona: Ferran Torres nuk është në shitje

Vendos Barcelona: Ferran Torres nuk është në shitje

Barcelona ka marrë vendim për të ardhmen e Ferran Torresit, duke e konsideruar sulmuesin spanjoll si pjesë të rëndësishme të projektit të klubit për sezonin e ardhshëm.

Paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026 me Spanjën, ku shënoi golin vendimtar në finalen ndaj Argjentinës, kanë rritur edhe më shumë vlerësimin për 26-vjeçarin. Torres hyri nga stoli në kohën shtesë dhe realizoi golin që i dhuroi Spanjës trofeun e dytë botëror në histori.

Pas triumfit, sulmuesi ka nisur pushimet verore, ndërsa pritet të rikthehet në stërvitje më 10 gusht, kur do të fillojnë edhe diskutimet për rinovimin e kontratës së tij me klubin katalanas.

Torres vjen pas një sezoni shumë pozitiv, ku shënoi 21 gola në të gjitha garat dhe ndihmoi Barcelonën të fitonte dy tituj radhazi të La Ligës. Me largimin e Robert Lewandowskit, ai shihet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë një rol më të madh në sulmin e skuadrës së Hansi Flickut.

Megjithatë, interesimi për të nuk mungon. Paris Saint-Germain raportohet se po e monitoron situatën e tij dhe mund të nisë bisedimet për një marrëveshje të mundshme në vitin 2027, pasi kontrata aktuale e Torresit me Barcelonën hyn në vitin e fundit.

Sipas mediave spanjolle, Barcelona i ka bërë të qartë lojtarit se beson në të dhe nuk do të dëgjojë oferta për transferimin e tij. Edhe vetë Torres dëshiron të vazhdojë në “Camp Nou” dhe është i gatshëm të rinovojë kontratën.

Negociatat për marrëveshjen e re pritet të zhvillohen në shtator, pasi Barcelona po menaxhon situatën financiare dhe regjistrimin e përforcimeve të reja.

Klubi katalanas gjithashtu duhet të përmbushë detyrimet financiare ndaj Manchester Cityt, nga marrëveshja e mëparshme për transferimin e Torresit.

Share This