
Zyrtare: Marseille dhe Roberto De Zerbi ndajnë rrugët
Roberto De Zerbi nuk është më trajner i Olympique Marseille.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi francez, i cili ka njoftuar për përfundimin e bashkëpunimit me teknikun italian me marrëveshje të ndërsjellë.
Presioni mbi De Zerbin ishte rritur ndjeshëm pas një sezoni zhgënjyes 2025/26. Humbja e thellë 5-0 ndaj Paris Saint-Germain konsiderohet si momenti vendimtar që çoi në largimin e tij nga stoli i skuadrës nga “Velodrome”.
Marseille u eliminua gjithashtu në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Në kampionat, skuadra nuk arriti të rivalizojë për titullin në Ligue 1, duke u renditur në vendin e katërt, 12 pikë prapa liderëve nga Parisi.
Në njoftimin zyrtar, klubi ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas diskutimeve të përbashkëta në nivelin më të lartë drejtues.
“Olympique de Marseille dhe Roberto De Zerbi, trajneri i ekipit të parë, njoftojnë përfundimin e bashkëpunimit të tyre me marrëveshje të ndërsjellë. Pas diskutimeve që përfshinin të gjithë aktorët e interesuar në menaxhimin e klubit – pronarin, presidentin, drejtorin e futbollit dhe trajnerin – u vendos që të zgjidhej një ndryshim në krye të ekipit të parë. Ky ishte një vendim i vështirë dhe kolektiv, i arritur pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe në interesin më të mirë të klubit për t’u përballur me sfidat sportive të pjesës së fundit të sezonit. Olympique de Marseille dëshiron të falënderojë Roberto De Zerbin për investimin, përkushtimin, profesionalizmin dhe seriozitetin e tij, të shënuar në veçanti nga vendi i dytë i fituar gjatë sezonit 2024/25”, thuhet në njoftimin e klubit francez.
Marseille pritet të njoftojë së shpejti emrin e trajnerit të ri që do të marrë drejtimin e skuadrës për vazhdimin e sezonit.


