
ZRRE: Po hetohen ankesat për devijime të mundshme në orët tarifore të energjisë elektrike
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se po vazhdon monitorimin e situatës pas shqetësimeve të ngritura nga konsumatorët lidhur me devijime të mundshme në orët tarifore gjatë faturimit të energjisë elektrike.
Në një komunikatë për media, institucioni rregullator thekson se po bashkëpunon me të gjithë akterët relevantë për të siguruar një proces të drejtë, transparent dhe të saktë të matjes së energjisë, si dhe për të parandaluar çdo dëm të mundshëm ndaj konsumatorëve.
Sipas ZRRE-së, në rastet e raportuara janë ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë kërkesa për zëvendësimin e njehsorëve elektrikë dhe korrigjime financiare të bazuara në vlerësime teknike.
Institucioni bën të ditur se në shumicën e rasteve të verifikuara, matja e energjisë elektrike ka rezultuar e saktë. Megjithatë, janë evidentuar disa raste ku janë konstatuar devijime të lidhura me orët tarifore. Sipas ZRRE-së, në pjesën më të madhe të tyre, korrigjimet financiare nuk kanë qenë në favor të konsumatorëve.
ZRRE thekson gjithashtu se KEDS dhe KESCO operojnë si kompani të rregulluara dhe të ardhurat e tyre përcaktohen nga vetë rregullatori, çka sipas institucionit kufizon mundësinë e përfitimeve nga gabime eventuale në matje.
Në reagim shtohet se çdo gabim i mundshëm ka efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tij, ndërsa konsumatorët e prekur do të kompensohen në përputhje me dispozitat ligjore.
Në fund, ZRRE rithekson angazhimin për trajtim të drejtë të ankesave dhe transparencë të plotë në procesin e faturimit të energjisë elektrike, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.


