Zelensky: Telefonatë thelbësore me të dërguarit e SHBA-së për paqen

Zelensky: Telefonatë thelbësore me të dërguarit e SHBA-së për paqen

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha sot se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë dhe thelbësore telefonike me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff si dhe me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

“Ukraina është e vendosur të vazhdojë të punojë me mirëbesim me palën amerikane për të arritur vërtet paqen. Ramë dakord për hapat e ardhshëm dhe formatet e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara”, tha Zelensky në X.

Witkoff dhe Kushner zhvilluan dy ditë bisedime këtë javë në Miami me negociatorin e lartë ukrainas, Rustem Umerov, të cilat të dyja palët i quajtën “diskutime konstruktive për avancimin e një rruge të besueshme drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.

Pritej që Witkoff të informonte Umerovin për takimin e tij në Moskë këtë javë me presidentin rus Vladimir Putin.

Zelensky tha se po pret që Umerov t’i japë një raport të detajuar personalisht në Kiev.

“Jo çdo gjë mund të diskutohet në telefon, ndaj duhet të punojmë ngushtë me ekipet tona për idetë dhe propozimet”, tha Zelensky.

“Qasja jonë është që çdo gjë të jetë e zbatueshme, çdo masë thelbësore për paqe, siguri dhe rindërtim”, përfundoi ai. /atsh/

Share This