
Zelensky shpall tre shtyllat kryesore të garancive të sigurisë për Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka prezantuar tre shtylla kryesore të garancive të sigurisë për vendin e tij gjatë një konference për shtyp ditën e sotme.
Këto përfshijnë forcimin e ushtrisë, mbështetjen e NATO-s dhe sanksionet kundër Rusisë.
Ushtria
Zelensky theksoi rëndësinë e mbajtjes së numrit aktual të Forcave të Armatosura dhe pajisjes së tyre me armë përmes prodhimit vendas dhe bashkëpunimit me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ky bllok ka të bëjë me financimin e personelit ushtarak që mbron kufijtë tanë sot. Nuk kërkojmë më shumë, por as nuk mund të pranojmë më pak, sepse nuk do të eksperimentojmë me sigurinë”, u shpreh ai.
NATO
Blloku i dytë fokusohet në marrëveshjet me partnerët ndërkombëtarë në nivelin më të lartë për të garantuar mbështetje për Ukrainën në rast të një agresioni të ri.
Sanksionet kundër Rusisë
Presidenti nënvizoi nevojën për presion të vazhdueshëm ndaj Kremlinit dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të rindërtuar Ukrainën.
Më herët është raportuar se ekipet e Ukrainës, SHBA-së dhe partnerëve evropianë po punojnë për një arkitekturë të garancive të sigurisë, me zhvillime konkrete që pritet të finalizohen në ditët e ardhshme. /rtsh/

