Zelensky: Rusia po tregon shenja për armëpushim, presioni po funksionon

Zelensky: Rusia po tregon shenja për armëpushim, presioni po funksionon

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po shfaq një qasje më të prirur drejt një armëpushimi, duke theksuar se presioni ndërkombëtar mbi Moskën po jep efekt.

Në një video-adresim drejtuar qytetarëve, Zelensky tha se “Steve Witkoff ishte në Moskë” dhe se qëndrimi i Ukrainës dhe partnerëve ndërkombëtarë mbetet i qartë dhe i ndershëm: “Lufta duhet të përfundojë dhe kjo duhet të ndodhë me ndershmëri.”

Ai njoftoi se janë zhvilluar konsultime me liderë evropianë dhe se diskutimet përfshinë edhe qëndrimet që u prezantuan nga pala ruse.

“Duket se Rusia tani është më e prirur drejt një armëpushimi. Presioni po funksionon mbi ta. Por gjëja kryesore është që ata të mos na mashtrojnë në detaje. As ne, as SHBA-të”, theksoi ai.

Zelensky bëri të ditur se në ditët në vijim do të ketë takime mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe partnerëve perëndimorë për të harmonizuar qëndrimin e përbashkët rreth kësaj çështjeje.

Presidenti ukrainas përfundoi duke theksuar se Ukraina do të vazhdojë të mbrojë pavarësinë e saj dhe se paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme: “Rusia duhet t’i japë fund luftës që vetë e nisi.”

Share This