Zelensky: Rusia po rrit sulmet ndaj Ukrainës, bota hesht. Putini po tallet me Perëndimin

Zelensky: Rusia po rrit sulmet ndaj Ukrainës, bota hesht. Putini po tallet me Perëndimin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia po intensifikon sulmet ndaj Ukrainës, duke shkatërruar infrastrukturën civile dhe atë të gazit në prag të dimrit, ndërsa bota nuk po jep një përgjigje të fortë dhe adekuate ndaj këtyre veprimeve.

Në fjalimin e tij, Zelensky kritikoi heshtjen globale dhe mungesën e veprimeve konkrete kundër agresionit rus, duke e quajtur atë një tallje të presidentit rus Vladimir Putin ndaj Perëndimit.

Fatkeqësisht, nuk ka pasur një përgjigje të denjë dhe të fortë nga bota ndaj gjithçkaje që po ndodh – ndaj shkallës dhe guximit gjithnjë në rritje të sulmeve. Kjo është pikërisht arsyeja pse Putin vepron kështu – ai thjesht tallet me Perëndimin, heshtjen e tij dhe mungesën e veprimeve të forta në përgjigje,” tha Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se Rusia ka refuzuar të gjitha propozimet për të ndalur luftën apo edhe për të pezulluar sulmet dhe tani po synon hapur infrastrukturën civile dhe të gazit për të destabilizuar Ukrainën para dimrit.

“Ne do të luftojmë që bota të mos mbetet e heshtur dhe që Rusia të ndjejë përgjigjen. Çdo raketë ruse dhe çdo dron sulmues rus përmban gjithashtu pjesë që ende furnizohen në Rusi nga vendet perëndimore dhe nga vende të ndryshme pranë Rusisë. Tani, në vitin e katërt të luftës në shkallë të plotë, është thjesht e çuditshme të dëgjosh dikë që pretendon se nuk di si të ndalojë rrjedhën e komponentëve kritikë,” theksoi ai.

Zelensky zbuloi se një raketë e vetme ruse Kh-47M2 Kinzhal përmban 96 komponentë të prodhuar jashtë Rusisë, shumë prej të cilëve Rusia nuk mund t’i prodhojë vetë. Po ashtu, rreth 500 dronë të përdorur nga Rusia natën e 5 tetorit përmbajnë mbi 100,000 komponentë të prodhuar jashtë vendit.

“Ndër prodhuesit janë kompani nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Tajvani, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Zvicra, Japonia, Koreja e Jugut dhe Holanda. Ka skema që përfshijnë disa vende. E gjithë kjo duhet të ndalet,” deklaroi Zelensky.

Ai njoftoi se javën e ardhshme, koordinatorët e sanksioneve të G7-ës do të takohen për të shqyrtuar të gjitha propozimet e Ukrainës për sanksione dhe kufizime në zinxhirët e furnizimit.

“Ne po përgatisim gjithashtu sanksionet tona të reja – si ndaj atyre që po punojnë për Rusinë tani, për luftën e saj, ashtu edhe ndaj atyre që po përpiqen të dobësojnë Ukrainën në një kohë të tillë,” theksoi Zelensky. /rtsh/

Share This