
Zelensky: Plani i Trump për armëpushim është një “kompromis i mirë”, por Putin s’ka gjasa ta pranojë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të mërkurën se plani i Donald Trump për të ndaluar luftën midis Ukrainës dhe Rusisë në vijat aktuale të frontit përbën një “kompromis të mirë”. Megjithatë, gjatë vizitës së tij në vendet nordike, Zelenskyy shprehu dyshime për gatishmërinë e Moskës për ta pranuar këtë marrëveshje. “Dyshoj se Putini do ta mbështesë atë,” tha ai për gazetarët.
Deklarata e Zelenskyyt vjen vetëm një ditë pasi ai dhe aleatët e tij në të ashtuquajturin “koalicion i të vullnetshmëve” deklaruan se “mbështesin fuqimisht” qëndrimin e Trump, sipas të cilit luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe vija aktuale e kontaktit të shërbejë si bazë për bisedimet e ardhshme të paqes.
Sakaq, Donald Trump, në një postim në rrjetet sociale më 17 tetor, një ditë pas takimit të tij me Zelenskyyn shkroi: “Mjaft gjak është derdhur, me kufij pronash të përcaktuar nga lufta dhe patrembësi. Ata duhet të ndalen aty ku janë. Le të pretendojnë të dy fitoren, le të vendosë historia! Mjaft me të shtëna, s’ka më vdekje, s’ka më shuma të mëdha dhe të paqëndrueshme parash që shpenzohen.”
Deklaratat e Trump nuk u pritën mirë në Moskë. Kremlini u shpreh i pakënaqur pas komenteve të presidentit amerikan, i cili tha se nuk do një “takim të humbur” me Putinin në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës.
“Nuk dua të humbas kohë, kështu që do të shoh se çfarë do të ndodhë,” tha Trump për gazetarët.
Në reagim, zëdhënësi i Kremlinit deklaroi: “Askush nuk dëshiron të humbasë kohë, as Presidenti Trump dhe as Presidenti Putin. Por përgatitja është e nevojshme. Duhet kohë”.
Sipas Trump, bisedimet përgatitore mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë kanë treguar se hendeku mes palëve është ende shumë i gjerë, duke e vështirësuar fillimin e negociatave për paqe. Pavarësisht kësaj, zyrtarët rusë konfirmuan se Moska po përgatitet ende për një takim të mundshëm mes Trump dhe Putin.
Dy udhëheqësit kishin rënë dakord javën e kaluar, gjatë një telefonate dy-orëshe, që të takoheshin në Evropë. Megjithatë, Trump duket se e ka zbutur entuziazmin për këtë mundësi, duke thënë se nuk dëshiron të angazhohet në një takim të pavlefshëm. /rtsh/


