Zbulohen dy kilogramë kokainë në pikën kufitare në Merdare

Zbulohen dy kilogramë kokainë në pikën kufitare në Merdare

Gjatë ditës së sotme janë zbuluar rreth dy kilogramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, në pikën kufitare në Merdare, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Rasti është zbuluar gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti të dyshuar në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.

“Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve, kanë realizuar një kontroll të thelluar ndaj një automjeti të dyshuar, ku janë zbuluar të fshehura rreth dy kilogramë lëndë narkotike”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Autoritetet bëjnë të ditur se substanca e dyshuar si kokainë ishte e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit, ndërsa për zbulimin e saj është përdorur edhe teknologjia moderne.

“Për realizimin e kontrollit të detajuar është përdorur skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ka mundësuar lokalizimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike”, thekson Dogana e Kosovës.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë pritet të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.

“Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të inteligjencës dhe përdorimit të kapaciteteve moderne teknike”, thuhet më tej në njoftim, raporton rtk.

Sipas autoriteteve, ky bashkëpunim synon parandalimin e veprimtarive ilegale dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe të kufijve të Republikës së Kosovës.

Share This