
Yamal aktualisht është futbollisti më i mirë në botë, thotë Van Basten
Legjenda e futbollit holandez, Marco van Basten, ka vlerësuar lart talentin e Barcelonës dhe Kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si figurën më dominuese të futbollit botëror në këtë moment.
Duke folur për nivelin e lojës dhe ndikimin e 18-vjeçarit në fushë, Van Basten u shpreh i bindur se Yamal ka arritur tashmë majat e futbollit, pavarësisht moshës shumë të re.
“Pa asnjë dyshim, Lamine Yamal është futbollisti më i mirë në botë aktualisht”, tha ish-sulmuesi legjendar, duke theksuar pjekurinë, qetësinë dhe cilësinë që i riu shfaq në çdo paraqitje me klubin dhe kombëtaren.
Van Basten shtoi se një talent i tillë duhet mbrojtur dhe menaxhuar me kujdes, në mënyrë që të mos mbingarkohet në fazat e hershme të karrierës dhe të ketë një rrugëtim sa më të gjatë në nivelin më të lartë të futbollit.
“Shpresoj vetëm që ta shijojmë sa më gjatë në fushë”, u shpreh ai.
Deklaratat e Van Basten përforcojnë bindjen gjithnjë e më të madhe në botën e futbollit se Lamine Yamal është një talent i rrallë, i aftë të shënojë një epokë të re dhe të bëhet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e lojës.


