
WSJ: Gjermania po harton një plan sekret për përballje të mundshme me Rusinë
“The Wall Street Journal” ka bërë të ditur se Gjermania ka përfunduar një plan të gjerë strategjik për t’u përgatitur në rast të një lufte me Rusinë.
Dokumenti voluminoz prej 1 200 faqesh është rezultat i punës së disa oficerëve të lartë dhe përshkruan me detaje se si NATO-ja do të organizonte lëvizjen e forcave drejt fronteve lindore në një skenar krize.
Plani specifikon rrugët, portet dhe korridoret hekurudhore që do të shërbenin për zhvendosjen e afro 800 000 trupave gjermane, amerikane dhe aleate.
Ai trajton gjithashtu sistemet e furnizimit, logjistikën dhe masat e mbrojtjes që do të zbatoheshin gjatë lëvizjes së forcave.
Disa prej pikave kritike në infrastrukturë konsiderohen aq delikate, sa mbeten ndër informacionet më të ruajtura të ushtrisë gjermane.
Sipas zyrtarëve gjermanë, rreziku që Rusia të ndërmarrë një sulm kundër NATO-s mund të shfaqet më shpejt sesa parashikimet e mëparshme, të cilat e shtynin një skenar të tillë drejt vitit 2029.
Incidentet e fundit të spiunazhit, aktet e sabotazhit dhe shkeljet e hapësirës ajrore europiane kanë shtuar shqetësimet se Moska po teston dobësitë e kontinentit.
Ekspertët paralajmërojnë se një armëpushim eventual në Ukrainë do t’i jepte Kremlinit kohë për të riorganizuar dhe rritur kapacitetet ushtarake, duke krijuar një kërcënim të ri për vendet e NATO-s. Për këtë arsye, autorët e planit gjerman theksojnë se forca dhe gatishmëria e Europës janë mënyra më e mirë për të shmangur një konflikt të hapur.
Megjithatë, hartuesit e dokumentit nënvizojnë probleme të konsiderueshme që mund të ngadalësojnë zbatimin e planit. Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore e amortizuar, procedurat e komplikuara të prokurimit dhe kufizimet ligjore e bëjnë më të vështirë reagimin e shpejtë në rast krize. Vetëm portet gjermane kanë nevojë për rreth 15 miliardë euro investime për t’u përshtatur për përdorime ushtarake.
Ushtria gjermane, megjithatë, e vlerëson pozitivisht progresin e bërë që nga fillimi i punës në vitin 2023, duke e përshkruar planin si “shumë të avancuar”.
Por, testimet e fundit kanë treguar se ende ka një hendek mes teorisë dhe praktikës, sidomos për sa i përket mobilitetit të shpejtë të trupave. /atsh/


