
“Mundësia e fundit”, Trump i dërgon mesazh të ashpër Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se kjo është “mundësia e fundit” për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se bisedimet mes dy vendeve janë duke vazhduar.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, pasi nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mbështetjen e familjeve ushtarake, Trump iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për luftën me Iranin dhe mundësinë e negociatave, raporton Sky News, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur nëse bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, pasi Irani i kishte mohuar ato, Trump tha se negociatat “po zhvillohen tani” dhe se ato do të ecin “shpejt, në një mënyrë ose në një tjetër”.
Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të kryenin një sulm ndaj Iranit “më të fuqishëm se çdo sulm që nga Lufta e Dytë Botërore”, para se të vendoste të ndalonte operacionet e planifikuara.
Trump i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë udhëheqjes iraniane:
“Kjo është mundësia e fundit për ta nënshkruar një dokument të mirë.”
Presidenti amerikan ka shprehur gjatë ditës pakënaqësi pasi Teherani kundërshtoi deklaratat e tij se bisedimet ishin duke vazhduar dhe se ishte arritur një marrëveshje mes dy palëve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, me diskutime të mëtejshme për programin bërthamor të Iranit.
Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se ka negociata me SHBA-në, gjë që ka shkaktuar reagimin e Trumpit, i cili e ka akuzuar udhëheqjen iraniane për “dyfytyrësi të jashtëzakonshme”.

