
Witkoff shkon në Gazë: Vizita ime ndihmon SHBA-në të hartojë një plan për të ofruar ndihma
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, vizitoi këtë të premte një nga qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Gazë, të cilat drejtohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës dhe mbështeten nga SHBA-ja dhe Izraeli, aty ku qindra palestinezë kanë humbur jetën javët e fundit duke u përpjekur të marrin ushqim.
“Kaluam më shumë se pesë orë brenda Gazës,” shkroi Witkoff në një postim në X, të shoqëruar nga një foto e tij e veshur me një jelek antiplumb, duke takuar stafin në qendrës së Fondacionit Humanitar.
Ai shtoi se qëllimi i vizitës ishte të ndihmonte në hartimin e një plani nga Uashingtoni për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për popullin palestinez.
Vizita e Witkoff në Rafah vjen ndërsa organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thanë të premten se qendrat e ndihmës të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës janë kthyer në kurthe vdekjeprurëse. Sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, mbi 1.300 persona janë vrarë pranë qendrave dhe në rrugët drejt tyre që kur kjo organizatë nisi të veprojë në fund të majit.
Witkoff mbërriti në Izrael të enjten, ndërsa qeveria izraelite përballet me presion ndërkombëtar në rritje për shkak të situatës së rënduar humanitare në Gazë. Ai u takua me kryeministrin Netanyahu për të diskutuar situatën në territorin palestinez dhe një armëpushim të mundshëm mes Izraelit dhe Hamasit, megjithëse palët negociatore u tërhoqën nga bisedimet javën e kaluar.
Ndërsa për presidentin Trump, mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gazë është nëpërmjet dorëzimit të Hamasit dhe lirimi të të gjitha pengjeve. /rtsh/


