Putini fajëson Ukrainën për bllokimin e bisedimeve për armëpushim

Putini fajëson Ukrainën për bllokimin e bisedimeve për armëpushim

Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq sot t’ia kalojë përgjegjësinë Ukrainës për mungesën e progresit në negociatat për t’i dhënë fund luftës që ai nisi më shumë se tre vjet më parë.

Putini tha se mbështet angazhimin në bisedime me Ukrainën, ndersa shtoi se pritshmëritë për rezultate nuk duhet të jenë “të larta”.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi me udhëheqësin bjellorus Alexander Lukashenko në Valaam, një ishull në veriperëndim të Rusisë.

“Për të arritur një zgjidhje paqësore, na duhen bisedime të plota, jo publike. Kjo duhet të bëhet në heshtje, në heshtjen e “procesit të negociatave”, tha Putin, sipas agjencisë së lajmeve TASS.

“Nëse udhëheqja ukrainase beson se tani nuk është koha, se duhet të presim, atëherë jemi gati të presim”, shtoi ai.

Presidenti rus po i përgjigjej deklaratave të fundit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në të cilat ai tha se negociatat kuptimplote do të ishin të mundura vetëm pas një ndryshimi të pushtetit në Moskë.

Megjithatë, Zelensky sinjalizoi sot se ishte i hapur ndaj dialogut.

Në një postim në X menjëherë pas deklaratës së Putinit, Zelensky shkroi: “Nëse këto janë sinjale të një gatishmërie të vërtetë për t’i dhënë fund luftës me dinjitet dhe për të vendosur një paqe vërtet të qëndrueshme – dhe jo thjesht një përpjekje për të fituar më shumë kohë për luftë ose për të vonuar sanksionet – atëherë Ukraina rikonfirmon edhe një herë gatishmërinë e saj për t’u takuar në nivelin e udhëheqësve në çdo kohë”.

Moska dhe Kievi rifilluan diskutimet e drejtpërdrejta në maj për herë të parë që nga viti 2022.

Tre raundet pasuese të bisedimeve rezultuan në shkëmbime të të burgosurve dhe trupave, por pa ndonjë progres në ndalimin e luftimeve. /atsh/

Share This