Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë

Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë dhe u angazhua të punojë me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës për përmirësimin e sigurisë në Arktik.

“Po punojmë për një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë”, deklaroi ajo gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pa specifikuar ndonjë shumë konkrete.

“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Groenlandin dhe Danimarkën për të përcaktuar se si mund të mbështesim më tej ekonominë dhe infrastrukturën lokale”, shtoi ajo.

“Unë mendoj veçanërisht se duhet të ndajmë një pjesë të rritjes së shpenzimeve tona të mbrojtjes për të krijuar një kapacitet evropian të thyerjes së akullit dhe pajisje të tjera thelbësore për sigurinë në Arktik”, theksoi Von der Leyen.

Kryetarja e Komisionit theksoi gjithashtu gatishmërinë e saj për të punuar me Shtetet e Bashkuara “dhe të gjithë partnerët tanë” për “përmirësimin e sigurisë në Arktik”.

“Kjo është qartë në interesin tonë të përbashkët dhe do të intensifikojmë investimet tona”, tha ajo.

Gjatë këtij fjalimi, Ursula von der Leyen premtoi gjithashtu një përgjigje “të fortë” ndaj kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për Groenlandën dhe tarifat doganore, të cilat i quajti “gabim”.

“Ne e konsiderojmë popullin amerikan jo vetëm si aleatin tonë, por edhe si mikun tonë. Të futemi në një spirale rënëse do të favorizonte vetëm kundërshtarët që të dy jemi të vendosur t’i mbajmë larg”, theksoi ajo.

Liderët evropianë do të mblidhen të enjten në mbrëmje në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar këtë çështje. /atsh/

Share This