
Vlerësohet puna e FFK-së, Agim Ademi takon ministrin e ri të Sportit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Agim Dibrani dhe anëtarin e KE të FFK-së, Samir Ujkani, patën një takim shumë konstruktiv me ministrin e ri të Sportit, Blerim Gashani.
Ademi ka thënë se në emër të gjithë komunitetit të futbollit, e ka uruar ministrin Gashani për detyrën e re, teksa ka theksuar se “është mirë për sportin tonë që në krye të këtij dikasteri tashmë kemi një ish-futbollist dhe një pasionant të madh të futbollit”.
“Ministrin e njoftova për rrugëtimin dhe zhvillimin e Federatës, për organizimin e garave vendore si dhe për punën dhe përfaqësimin e ekipeve tona kombëtare, teksa i shpreha gatishmërinë e plotë të FFK-së për bashkëpunim të vazhdueshëm, duke qenë se përmes futbollit ne përfaqësojmë dhe promovojmë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Ai ka thënë se ministri Gashani shprehu kënaqësinë për këtë takim, derisa vlerësoi punën e FFK-së i përgëzoi për performancën dhe sukseset e arritura.


