
Veteranët e UÇK-së protestojnë sot në Prishtinë: “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje në protestën që do të mbahet sot (7 gusht) nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook, organizata ka shpërndarë një video me mesazhe të qarta për qëllimin e protestës.
Në video shfaqet parulla “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, ndërsa pas saj paraqiten pamje të disa nga ish-krerët e UÇK-së që aktualisht po mbahen në paraburgim në Hagë, ku po përballen me aktakuza nga Gjykata Speciale.
Organizata ka theksuar se protesta është një reagim ndaj, siç thuhet, padrejtësive që po u bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe një mbrojtje e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës.
Protesta pritet të mbahet në mënyrë paqësore dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, veteranëve dhe mbështetësve të çështjes së UÇK-së.


