Vendos Valverde, Real Madridi mposht Celta Vigon në një finish dramatik

Vendos Valverde, Real Madridi mposht Celta Vigon në një finish dramatik

Real Madridi i është rikthyer fitoreve në La Liga, pasi triumfoi me rezultat 2:1 në udhëtim te Celta Vigo, falë një goli dramatik të Federico Valverdes në minutën e 94-të, shkruan Rekordi.net.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe vendasit rrezikuan të parët në minutën e pestë, kur Borja Iglesias provoi nga distanca, por portieri Thibaut Courtois reagoi mirë duke e ndalur goditjen. Pak minuta më vonë, Vinicius Junior goditi shtyllën, duke paralajmëruar dominimin e madrilenëve.

Real Madridi kaloi në epërsi në minutën e 11-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar me zgjuarsi, topi shkoi te Aurelien Tchouameni, i cili realizoi me një goditje të saktë për golin e parë të tij në kampionat këtë sezon.

Celta Vigo reagoi dhe barazoi në minutën e 25-të. Williot Swedberg depërtoi nga krahu i majtë dhe pasoi në zonë për Borja Iglesias, i cili shënoi për 1:1. Para përfundimit të pjesës së parë, Swedberg rrezikoi sërish, por Courtois ishte edhe një herë në vend.

Pjesa e dytë nuk solli shumë raste të pastra, megjithëse të dy skuadrat u përpoqën të gjenin golin e fitores. Real Madridi pati më shumë posedim të topit, ndërsa vendasit u treguan të rrezikshëm në kundërsulme.

Në minutën e 87-të, Celta ishte shumë afër golit kur Iago Aspas goditi brenda zonës, por topi u përplas në shtyllë.

Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, në minutën e 94-të Federico Valverde mori një top jashtë zone dhe goditi nga rreth 25 metra. Goditja e tij u devijua në rrugë dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë fitoren Real Madridit.

Me këtë triumf, madrilenët i dhanë fund një serie prej dy humbjesh në kampionat dhe iu afruan në vetëm një pikë liderit Barcelona në renditjen e La Ligës. /Rekordi.net

Share This