
Vazhdon numërimi i votave të diasporës, KQZ publikon të dhënat e fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i votave nga diaspora, si dhe procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës.
Sipas KQZ-së, deri në orën 09:00 të së premtes janë numëruar 13 nga 47 vendvotimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Procesi i numërimit ka nisur më 11 qershor dhe përfshin votat e hedhura më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme.
Nga gjithsej 27.724 shtetas të regjistruar për votim në përfaqësitë diplomatike, kanë votuar 22.860 qytetarë, që përbën 82.46 për qind të votuesve të regjistruar. KQZ ka bërë të ditur se rezultatet publikohen gradualisht në platformën zyrtare pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
Ndërkohë, në QNR po vazhdon edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi me postë. Deri në fund të ditës së 11 qershorit janë shqyrtuar rreth 42 mijë pako, prej të cilave 40.414 janë aprovuar, ndërsa 1.447 janë refuzuar.
Sipas të dhënave të KQZ-së, arsyeja kryesore e refuzimit lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokument që votuesit e regjistruar e marrin nga komisioni. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 1.320 pako.
Procesi i verifikimit, i cili ka nisur më 9 qershor, synon të konfirmojë nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit, raporton rtk.
Ndryshe, më 8 qershor është përmbyllur tërheqja e pakove me fletëvotime nga 23 kuti postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme dhe në Kosovë. Nga këto kuti janë tërhequr mbi 85.700 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë.

