
Ursula von der Leyen: Përdorimi i aseteve ruse, mënyra më efektive për të mbështetur Ukrainën
Ministrat e financave të BE-së diskutuan këtë të enjte (13 nëntor) axhendën ekonomike dhe financiare të bllokut, përfshirë çështjen gjithnjë e më urgjente të financimit për Ukrainën.
Në fjalën e saj, Presidentja e Komisionit, Evropian Ursula von der Leyen tha se përdorimi i aseteve ruse është mënyra më efektive për të mbështetur Ukrainën.
“Shtetet anëtare të BE-së kanë tre mundësi për të financuar nevojat financiare të Ukrainës, ku një kredi për dëmshpërblime lufte bazuar në asetet e ngrira ruse është opsioni më efektiv. Mundësi të tjera janë që BE-ja të përdorë “marzhin” në buxhetin e saj për të mbledhur fonde ose që të arrihet një marrëveshje midis shteteve anëtare për të mbledhur vetë fonde. Mundësia e tretë është të kemi një kredi dëmshpërblimi bazuar në asetet e ngrira ruse. T’i japim një kredi Ukrainës të cilën Ukraina do ta shlyejë nëse Rusia paguan dëmshpërblimet. Kjo është mënyra më efektive për të mbështetur mbrojtjen dhe ekonominë e Ukrainës”, tha Ursula von der Leyen.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e konsideron çështjen e aseteve të ngrira ruse si shumë të rëndësishme, sepse sipas tij, transferimi i tyre në Ukrainë në një formë ose në një tjetër do të ishte një humbje e madhe për Putinin.
“Do të jetë një humbje shumë e madhe për rusët nëse mund t’i marrim këto para në një farë mënyre. Qoftë një kredi nën garancitë e vendeve të tjera, apo një mundësi tjetër. Por nëse mund t’i marrim këto 140-160 miliardë, do të jetë një humbje e madhe për Putinin dhe njerëzit nga rrethi i tij. Ju e dini që këto janë paratë e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse kjo destabilizon vërtet sistemin e tyre, klikën e tyre. Kjo është arsyeja pse mendoj se është shumë e rëndësishme“, tha në një postim në Telegram. /rtsh/


