Uran Ismaili: Koha për Prishtinën po vjen

Uran Ismaili: Koha për Prishtinën po vjen

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në kryeqytet.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se po nisin një fushatë të re, por me të njëjtin përkushtim e ambicie sikur para katër vitesh, siç thotë, kur qytetarët e Kosovës i besuan më së shumti komuna.

“Për neve fushatat nuk janë veç garë, janë edhe festë , festë që e bëjmë me qytetarët e Kosovës anë e mbanë, me kandidatët më të mirë, me programe serioze në secilën komunë, e mbi të gjithë me frymë qytetare pa fyerje e përçarje. Shembujt janë të qartë, komunat që i kemi udhëhequr në këto katër vite janë komunat që janë zhvilluar më së shumit, janë dëshmia më e mirë se modeli i PDK-së, është qeverisja që kryen punë, që e mbanë fjalën dhe që u shërben qytetarëve pa dallime. Edhe tash për zgjedhjet e 12 tetorit, më mirë është vizioni, 191 është numri, PDK është zgjedhja”, tha Krasniqi.

Ai tha se Prishtina është zemra e Kosovës e duhet të udhëhiqet nga dikush që sipas tij, e do atë me zemër.

Krasniqi ka thënë se përveç fitores së Uran Ismailit në Prishtinë, e PDK-së nëpër komuna të tjera, presin edhe një fitore tjetër. “Fitore të drejtësisë në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e shokët e tyre”, tha Krasniqi.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili tha se një gjë që nuk bën kurrë ta harrojnë se  Prishtina është qytet i ëndrrave të mëdha.

Ismaili tha se, koha për Prishtinën po vjen.

“Gara jonë është garë e optimizmit, garë e shpresës, e përvojës dhe e qëllimeve dhe projekteve të qarta, të projekteve që përmirësojnë jetën në çdo lagje. Nuk është garë e arsyetimeve të mospunës, është garë e një ekipi të kandidatëve, të vullnetarëve që e duan me gjithë zemër Prishtinën, shumë prej të cilëve nuk vijnë nga jeta politike, por e dinë që nuk është koha të pranohet mos puna, mashtrimi e konflikti,  është koha me u ngritë në këmbë, është koha me besuar, me i largu paragjykimet e dyshimet, koha me pa qytetarin në sy, me i tregu se koha e tij po vjen . Është koha me i thënë se koha për Prishtinën po vjen”, tha Ismaili para përkrahësve.

Aty janë prezantuar kandidatët për këshilltarë në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga kjo parti. /rtk/

Share This