
UNIFIL: Forcat izraelite hapën zjarr ndaj paqeruajtësve në Liban
Forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban thanë sot se forcat izraelite kanë hapur zjarr ndaj tyre, por pa shkaktuar viktima, në incidentin më të fundit të raportuar nga “kaskat blu”.
Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftoi se incidenti ndodhi sot kur një tank izraelit pranë një pozicioni të ngritur nga Izraeli brenda territorit libanez hapi zjarr drejt personelit të UNIFI- it
Sipas UNIFIL-it, pas ndërmjetësimit me ushtrinë izraelite, personeli arriti të largohej i sigurt rreth 30 minuta më vonë, pasi tanku u tërhoq pas pozicionit izraelit.
Ushtria izraelite tha se kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese në Libanin jugor, pasi kishte identifikuar persona të dyshimtë.
“Pas verifikimit, u zbulua se personat e dyshuar ishin ushtarë të OKB-së, të cilët fillimisht u klasifikuan si të dyshimtë për shkak të kushteve të këqija atmosferike”, shtoi ushtria.
Një armëpushim i brishtë mes Izraelit dhe Hezbollahut, milicia libaneze e mbështetur nga Irani, është në fuqi që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar pas muajsh luftimesh.
Megjithatë, të dyja palët akuzojnë rregullisht njëra-tjetrën për shkelje, me Izraelin që ndërmerr thuajse çdo ditë sulme ndaj Libanit. /atsh/


