Trump: Zgjidhja më e mirë për përfundimin e luftës është një marrëveshje paqeje. Liderët europianë: Të gatshëm për një samit trepalësh

Trump: Zgjidhja më e mirë për përfundimin e luftës është një marrëveshje paqeje. Liderët europianë: Të gatshëm për një samit trepalësh

“Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës është përmes një Marrëveshjeje Paqeje”, me këtë përfundim ka dalë presidenti amerikan Donald Trump, pas takimit të tij me homologun rus, Vladimir Putini në Alaskë dhe telefonatës me udhëheqësit e NATO-s, pas takimit.

Në një përditësim në platformën e tij “Truth Social”, Trump thotë se “të gjithë e përcaktuan se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet direkt në një Marrëveshje Paqeje”.

“Të gjithë ranë dakord se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës është të kalohet drejtpërdrejt në një marrëveshje paqeje, e cila do t’i japë fund luftës, dhe jo në një marrëveshje të thjeshtë armëpushimi, e cila shpesh nuk respektohet”, thekson ai.

Sakaq Presidenti amerikan shton se pati “një ditë të shkëlqyer dhe shumë të suksesshme në Alaska ndërsa konfirmon gjithashtu se presidenti ukrainas do të fluturojë për në Uashington DC për bisedime në Zyrën Ovale të hënën.

“Nëse gjithçka shkon mirë, ne do të caktojmë një takim me Presidentin Putin. Potencialisht, miliona jetë njerëzish do të shpëtohen”, thotë ai.

Udhëheqësit evropianë iu bashkuan telefonatës me Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky pas samitit të Alaskës.

Më tej, Udhëheqësit evropianë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me Presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaska, duke deklaruar se hapi tjetër duhet të jenë bisedime të mëtejshme, këtë herë me përfshirjen e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nga ana e tyre, zyrtarët evropianë shtuan se janë të gatshëm të punojnë me Trump dhe Zelensky drejt një samiti trepalësh me mbështetjen evropiane.

Ata janë shprehur të gatshëm të ushtrojnë presion mbi Rusinë.

Ata përsëritën nevojën që Ukraina të ketë “garanci të patundura sigurie”, duke shtuar se “nuk duhet të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës ose në bashkëpunimin e saj me vendet e treta. Rusia nuk mund të ketë veto kundër rrugës së Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s”.

Deklarata u lëshua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri italian Giogia Meloni, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe Kryeministri polak Donald Tusk. /rtsh/

Share This