
Trump sinjalizon rikthimin e mundshëm të Turqisë në programin për avionët ”F-35”
Presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi se Turqia mund të lejohet të rikthehet në programin e avionëve luftarakë ”F-35”, pak javë përpara samitit të NATO-s që do të mbahet në Ankara muajin e ardhshëm.
I pyetur nëse do të sillte lajme të mira për Ankaranë lidhur me pjesëmarrjen e saj në programin ”F-35”, presidenti Trump u përgjigj shkurt “mendoj se po”.
Pyetja lidhej gjithashtu me kërkesën e Turqisë për një motor amerikan që do të përdorej në një projekt tjetër të avionëve luftarakë.
“Me shumë gjasa do të bëj diçka që do t’i bëjë ata shumë të lumtur”, tha Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë u përkeqësuan gjatë mandatit të parë të Trumpit, pasi Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore ”S-400” në vitin 2019.
Si pasojë, SHBA-ja e përjashtoi Turqinë nga programi i avionëve ”F-35” dhe më vonë vendosi sanksione ndaj agjencisë turke të prokurimeve në fushën e mbrojtjes.
Zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se administrata amerikane po shqyrton nëse Turqia i përmbush kushtet për t’u rikthyer në program, duke theksuar se procesi i vlerësimit ende nuk ka përfunduar.
Trump vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Ai pranoi se Erdogan është një figurë kontroverse, por shtoi se edhe vetë ai konsiderohet i tillë.
“Mendoj se Erdogan është një njeri shumë i mirë”, tha Trump, duke shtuar se ndoshta nuk do të merrte pjesë në samitin e NATO-s në Ankara më 7-8 korrik, po të mos ishte për presidentin turk. /atsh/

