
Deliu për organizatorin e protestave: Ai mishëron pritjen dhe shpresën e një populli të tërë
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shkruar për Çlirim Hazirin, djalin e veprimtarit të zhdukur Xhavit Haziri, i cili tash e disa ditë është një nga organizatorët e protestave në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Deliu-Kodra tha se, ndonëse Çlirimi vazhdon të presë një lajm për babanë e tij, ai po qëndron në shesh dhe në krye të kërkesës për drejtësi, raporton Klankosova.tv
“Ai e di çfarë do të thotë të presësh. Çlirim Haziri është rritur duke pritur një lajm për babanë e tij, veprimtarin e zhdukur Xhavit Haziri. Megjithatë, sot nuk e gjejmë të mbyllur në dhimbje, por në shesh, në ballë të kërkesës për drejtësi”, ka shkruar ajo.
Deliu-Kodra tha njëherësh, se i riu është bërë “ikonë e protestave”.
“Me këmbënguljen e tij na zgjon ndërgjegjen. Me praninë e tij na kujton se dorëzimi nuk është zgjedhje. Çlirimi është bërë ikonë e protestave tona sepse ai nuk flet vetëm për dhimbjen e vet. Ai mishëron pritjen dhe shpresën e një populli të tërë. Qëndro i fortë, Çlirim! Kosova qëndron me ty!”, shkroi Deliu-Kodra.

