
Trump: Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Tarifat janë thelbësore për Amerikën dhe do të mbeten në fuqi
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur një fjalim për Gjendjen e Kombit para një seance të përbashkët të Kongresit të SHBA-së, duke u ndalur kryesisht te ekonomia, tarifat, imigracioni dhe politika e jashtme.
Në pjesën mbi ekonominë, Trump deklaroi se kishte trashëguar një situatë të vështirë nga administrata e mëparshme, por se tashmë ekonomia amerikane “po rritet si kurrë më parë”. Ai theksoi rritjen e vendeve të punës dhe forcimin e tregut, duke ia atribuar këto zhvillime politikave të tij fiskale dhe tregtare.
Sa i përket tarifave, presidenti e cilësoi si “zhgënjyes” dhe “të pafat” vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA kundër disa tarifave globale të vendosura vitin e kaluar. Megjithatë, ai siguroi se taksat do të mbeten në fuqi përmes bazave të tjera ligjore të miratuara dhe të testuara, duke theksuar se tarifat janë thelbësore për mbrojtjen e industrisë amerikane.
Në fushën e imigracionit, Trump përshëndeti atë që e quajti progres të ndjeshëm në uljen e imigracionit të paligjshëm dhe forcimin e kufirit jugor të SHBA-së. Ai nuk përmendi masat e diskutueshme të zbatimit të ligjit në disa shtete, të cilat sipas sondazheve nuk kanë gëzuar mbështetje të gjerë publike.
Në politikën e jashtme, Trump i atribuoi merita vetes mbi operacionin amerikan për arrestimin e presidentit të atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro, në Karakas muajin e kaluar, duke theksuar se qasja e tij mbetet “paqja përmes forcës”. Ai gjithashtu paralajmëroi Iranin kundër zhvillimit të një arme bërthamore, duke shtuar se preferon një zgjidhje diplomatike, por se SHBA-ja nuk do të lejojë që Teherani të pajiset me armë të tilla.
Fjalimi u karakterizua nga tone të forta politike dhe mesazhe të qarta për prioritetet e administratës në muajt në vijim. /rtsh/


