
Kryeziu: Po ecet drejt zgjedhjeve të parakohshme, mund të mbahen në të njëjtën ditë me ato lokale
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka shprehur shqetësimin se vendi po shkon drejt mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese në publikimin e arsyetimit të plotë të aktgjykimit po e shtyjnë situatën në këtë drejtim.
“Qoftë me kalkulime politike, qoftë si produkt i procedurave, masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese po duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date të dakorduar në heshtje, për të mbajtur dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, me 12 tetor”, shkroi Kryeziu.
Ai përmendi edhe një tjetër skenar të diskutuar nga disa parti – mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare midis raundit të parë dhe balotazhit të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas tij, ende nuk ka marrëveshje politike për këtë çështje, por “situata aktuale më shumë po ngjan në një ecje të qëllimshme drejt zgjedhjeve të parakohshme”.


