Trump i hapur për bisedime me Putinin pa prani të Zelenskyt

Trump i hapur për bisedime me Putinin pa prani të Zelenskyt

Presidenti amerikan Donald Trump tha se do të bisedojë me Vladimir Putinin edhe pa një takim me Volodymyr Zelenskyn. Mediat raportojnë se kushti i Putinit është përfshirja e një shkëmbimi territoresh në bisedime. Zelensky thotë se Ukraina nuk ka frikë nga takimi, por kërkon që Evropa të jetë pjesë e negociatave.

Presidenti amerikan Donald Trump mohoi raportimet e mediave se takimi i tij me shefin e Kremlinit do të zhvillohej vetëm nëse vetë Putini do të takohej më parë me Zelenskyn.

Ai konfirmoi se nuk ka një kusht të tillë dhe se është i gatshëm të flasë drejtpërdrejt me udhëheqësin rus:

“Jo, jo domosdoshmërisht. Ata duan të takohen me mua dhe unë do të bëj gjithçka që është e mundur”, u shpreh presidenti amerikan.

Kurse Moska ka konfirmuar se Presidenti Vladimir Putin do të takohet me Shefin e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, në ditët në vijim, dhe se kanë nisur përgatitjet konkrete për këtë takim.

Putini ka përmendur një nga vendet e mundshme për zhvillimin e takimit me Trumpin. Ai deklaroi se kanë shumë miq të gatshëm për të ndihmuar në organizimin e një eventi të tillë, ndër të cilët përmendi edhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Mediat, duke cituar burime të mirinformuara, raportojnë se udhëheqësi amerikan i ka informuar aleatët se shefi i Kremlinit është i hapur për bisedime paqeje – por vetëm nëse këto përfshijnë “shkëmbime territoriale”.

Putin nuk përjashtoi mundësinë e një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por përsëriti se duhet të krijohen kushtet për një takim të tillë.

“E kam thënë shumë herë se, në përgjithësi, nuk kam asgjë kundër kësaj. Është e mundur, por duhet të krijohen kushte të caktuara, nga të cilat, për fat të keq, jemi ende larg”, tha presidenti rus.

Ndërkohë, Zelensky ka zhvilluar një sërë aktivitetesh diplomatike, duke biseduar me aleatët për të arritur një marrëveshje paqeje. Ai thekson se Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në takimet dhe negociatat për paqen në Ukrainë.

“Në Evropë ka një luftë dhe Ukraina është pjesë integrale e Evropës. Ne jemi tashmë në negociata për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Prandaj, Evropa duhet të jetë pjesëmarrëse në proceset përkatëse”, theksoi Zelensky, raporton rtk.

Presidenti ukrainas ka dhënë sinjale të qarta se është koha për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Ukraina nuk ka frikë nga takimet dhe pret të njëjtën qasje të guximshme nga pala ruse.

Java tjetër pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme, ndërsa bota është në pritje të një “trepalëshi paqeje”.

Share This