Trump: Gaza po përjeton `uri të vërtetë`

Trump: Gaza po përjeton `uri të vërtetë`

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se në Rripin e Gazës po ndodh “uri e vërtetë”, duke kundërshtuar pretendimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili i ka quajtur “gënjeshtër të madhe” akuzat për urinë në këtë territor.

Gjatë një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer në Skoci, Trump u pyet nëse pajtohej me deklaratat e Netanyahut dhe u përgjigj: “Nuk e di… ato fëmijë duken shumë të uritur… kjo është uri e vërtetë.”

Ai shtoi se “askush nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe atje” dhe e quajti situatën në Gaza një “rrëmujë”, duke theksuar se i kishte sugjeruar Izraelit të ndryshonte qasje, raporton BBC.

Deklarata e Trump vjen pasi shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, paralajmëroi se “sasi të mëdha” ushqimi janë të nevojshme për të shmangur urinë, ndërsa masat e fundit të Izraelit janë “vetëm një pikë në oqean”.

Të dielën, ushtria izraelite nisi një “pauzë taktike” 10-orëshe në tre zona të Gazës, për të lejuar hyrjen e ndihmave. Sipas Izraelit, u lejuan 120 kamionë ndihma dhe u kryen 28 hedhje ajrore me ndihma nga Jordania dhe Emiratet. Por OKB deklaroi se kishte arritur të mbledhë më pak se 100 kamionë.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi njoftoi të dielën se 14 persona kishin vdekur nga kequshqyerja brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve që nga tetori në 147, përfshirë 88 fëmijë.

Fletcher tha se shumica e ndihmave që hynë të dielën në Gaza u grabitën nga civilë të dëshpëruar, ndërsa shoferët e OKB-së përballen me pengesa burokratike dhe kërcënime sigurie. Ai paralajmëroi se pauzat humanitare mund të zgjasin vetëm një javë, gjë që është e pamjaftueshme për të parandaluar urinë.

Ndërkohë, Netanyahu i quajti akuzat për urinë “gënjeshtër të madhe” dhe tha se nëse nuk do të kishte ndihma humanitare të lejuara nga Izraeli, “nuk do të kishte më gazas”.

Zyra e tij njoftoi të hënën në mbrëmje se Izraeli do të bashkëpunojë me grupet e ndihmës, SHBA-në dhe vendet evropiane për të siguruar hyrjen e ndihmës në Gaza. Ai akuzoi Hamasin se përfiton duke krijuar perceptimin e një krize humanitare dhe se shifrat dhe imazhet që qarkullojnë janë “të pa verifikuara ose të manipuluara”.

Ndërkohë, OKB dhe OBSH paralajmëruan për përkeqësim të situatës, duke thënë se shumica e vdekjeve nga uria në korrik kanë qenë fëmijë të vegjël. OBSH e quajti krizën “tërësisht të shmangshme” dhe dënoi “pengesat e qëllimshme për ndihmën humanitare”.

Hamas ka mohuar akuzat për vjedhjen e ndihmave. Sipas raportimeve të New York Times dhe Reuters, nuk ka prova që Hamasi ka vjedhur në mënyrë sistematike ndihma nga OKB apo nga SHBA.

Ndërkohë, sipas burimeve spitalore lokale, të hënën më shumë se 30 persona u vranë në sulme izraelite në të gjithë Gazën, përfshirë edhe qytetarë që prisnin ndihma, shkruan BBC, transmeton rtk.

Që nga fillimi i luftës në tetor 2023, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit ku u vranë 1,200 persona dhe u morën 251 pengje, të paktën 59,821 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi.

Share This