SHBA dhe Irani drejt një memorandumi për t’i dhënë fund konfliktit

SHBA dhe Irani drejt një memorandumi për t’i dhënë fund konfliktit

Shtetet e Bashkuara dhe Irani po i afrohen një marrëveshjeje paraprake që synon t’i japë fund luftës, sipas një burimi, raporton BBC. Megjithatë, zyrtarë të administratës së Donald Trump paralajmërojnë se bisedimet kanë dështuar edhe më parë në momentet e fundit.

Shtëpia e Bardhë ka marrë sinjale pozitive nga ndërmjetësuesit pakistanezë, të cilët raportojnë për përparim nga pala iraniane drejt një kompromisi. Dy zyrtarë amerikanë, duke folur për mediat, shprehën megjithatë skepticizëm ndaj këtij optimizmi.

Sipas burimeve, ditët e fundit është vënë re një shtytje e re diplomatike. Presidenti Trump thuhet se po përpiqet të thjeshtojë çështjet kryesore në negociata, në mënyrë që të moderuarit në Iran të rikthehen në tryezën e bisedimeve, ndërsa temat më të ndërlikuara do të trajtohen në një fazë të mëvonshme.

Një plan i shkurtër, prej një faqeje, që po qarkullon aktualisht përfshin disa pika kyçe për përfundimin e konfliktit. Dokumenti parashikon shpalljen e një armëpushimi dhe nisjen e një periudhe 30-ditore negociatash për çështje të pazgjidhura, si programi bërthamor i Iranit, zhbllokimi i aseteve dhe siguria në ngushticën e Hormuzit.

Ndër propozimet kryesore është vendosja e një moratoriumi për pasurimin e uraniumit për më shumë se 10 vjet, si dhe transferimi jashtë vendit i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit. Detajet përfundimtare të këtyre pikave mbeten ende në negocim.

Zhvillimet pozitive nga ndërmjetësuesit pakistanezë ndikuan gjithashtu në vendimin e Trump për të pezulluar përkohësisht operacionin “Projekti Liri”, që synonte zhbllokimin e anijeve në ngushticë. /rtsh/

Share This