Vrasësi serial pranon vrasjen e 8 grave në Long Island

Vrasësi serial pranon vrasjen e 8 grave në Long Island

Një sagë që kishte zgjatur për dekada mori fund në një sallë gjyqi në Suffolk County të mërkurën, më 8 prill,  kur një burrë rreth një metër e nëntëdhjetë i gjatë, i veshur me kostum të zi dhe kravatë blu, qëndroi përballë gjykatësit dhe pranoi në detaje krimet e tmerrshme të vrasjes së tetë grave.

Rex Heuermann u shfaq pa asnjë shprehje në fytyrë ndërsa konfirmoi për gjykatësin Timothy Mazzei se i kishte mbytur dhe lidhur secilën prej tyre në të njëjtën mënyrë, përpara se t’i hidhte mbetjet e tyre përgjatë plazheve të izoluara të Long Islandit.

Ai u përgjigj kryesisht me “Po” ndaj çdo pyetjeje të gjykatësit për krimet e tij, pa u kthyer pas për të parë sallën e mbushur me familjarët e viktimave, disa prej të cilëve përpiqeshin të përmbanin lotët.

Familjet e grave kishin pritur për më shumë se një dekadë, pasi hetuesve iu deshën vite për të zbardhur këto vrasje që kishin tronditur shumë banorë të Long Islandit.

“Shumë njerëz flisnin për këtë – nuk ishte diçka tabu”, tha Sandra Symon, një shoqe e shkollës së mesme e Heuermannit për BBC. “Të gjithë kishin një teori”.

Këto teori morën fund në vitin 2023, kur policia arrestoi Heuermannin, një baba i martuar me dy fëmijë që jetonte në Massapequa Park, një periferi e qetë e Long Islandit, në një shtëpi të vjetër ku kishte kaluar fëmijërinë.

62-vjeçari, me profesion arkitekt, u arrestua nga policia e Suffolk County, e cila rrethoi zyrën e tij në Midtoën Manhattan, pasi e lidhën me vrasjet përmes ADN-së së gjetur në një kuti pice.

Fillimisht, Heuermann u akuzua për vrasjen e shtatë grave, por të mërkurën ai pranoi fajësinë edhe për një vrasje tjetër të kryer në vitin 1996. Edhe pse shumë prej viktimave kishin qenë të zhdukura për vite me radhë, rasti doli në dritë në vitin 2010, kur hetuesit gjetën katër mbetje trupash brenda një distance prej rreth 400 metrash nga njëra-tjetra në Gilgo Beach.

Pas një deklarimi fillestar si i pafajshëm, Heuermann përfundimisht pranoi se kishte vrarë: Melissa Barthelemy, 24 vjeçe, Megan Waterman, 22 vjeçe, Amber Costello, 27 vjeçe, Maureen Brainard-Barnes, 25 vjeçe, Jessica Taylor, 20 vjeçe, Valerie Mack, 24 vjeçe, Sandra Costilla, 28 vjeçe dhe Karen Vergata, 34 vjeçe.

Të gjitha viktimat besohet se ishin punonjëse seksi në kohën e vdekjes së tyre, disa prej të cilave ishin kontaktuar nga ai përmes reklamave të tyre në Craigslist.

Në gjykatë të mërkurën, Heuermann dha pak detaje të reja për vrasjet, duke konfirmuar thjesht se i joshte me premtimin për para, më pas i vriste dhe i copëtonte trupat, përpara se t’i hidhte mbetjet në plazh. Ai shqiptoi shumë pak fjalë të tjera përveç “mbytje” kur u pyet si i kishte vrarë, dhe “fajtor” kur u kërkua të deklaronte pranimin e fajësisë.

“Nuk kishte as edhe një grimcë pendese në fytyrën e atij njeriu”, tha John Ray, një avokat i familjeve të viktimave pas seancës. “Ishte i ftohtë si akulli”.

Ai mori disa dënime me burgim të përjetshëm, të cilat do të shpallen zyrtarisht më 17 qershor.

Gjatë seancës së shkurtër, ish-bashkëshortja e tij, Asa Ellerup, e ndoqi nga fundi i sallës, pa shprehje në fytyrë dhe e veshur me të zeza, së bashku me vajzën e tyre, e cila mbante në dorë peceta.

Jashtë gjykatës, Ellerup tha se mendimet e saj janë me familjet e viktimave. /euronews.al/

Share This