
Trump: Do të shqyrtojmë sërish mundësinë për të bombarduar Iranin nëse është e nevojshme
Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se do të shqyrtonte mundësinë për të bombarduar sërish Iranin – nëse Teherani ishte duke pasuruar uranium në një nivel që shqetësonte SHBA-në – ndërsa mbështeti inspektimet e vendeve bërthamore iraniane të bombarduara.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se kishte planifikuar t’u përgjigjej së shpejti komenteve të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamanei, i cili tha se Irani “i kishte dhënë një shuplakë Amerikës në fytyrë” duke nisur sulmin kundër një baze të madhe amerikane në Katar – pas bombardimeve të SHBA-së, fundjavën e kaluar.
Trump tha se do të mbështeste IAEA-n, organin mbikëqyrës bërthamor të OKB-së, në inspektimin e vendeve bërthanore iraniane që u bombarduan.
Megjithatë, parlamenti i Iranit miratoi të mërkurën masa për të pezulluar inspektime të tilla.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi tha sot se Teherani mund të refuzojë çdo kërkesë për vizita në vendet bërthamore iraniane, nga kreu i IAEA-së.
“Nuk besoj se Irani dëshiron ende një armë bërthamore pas sulmeve bombarduese të SHBA-së dhe Izraelit”, tha Trump.
Presidenti amerikan tha se Irani ende dëshironte të takohej për të diskutuar marrëveshjen.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë tha dje se deri më tani nuk është planifikuar asnjë takim midis SHBA-së dhe një delegacioni iranian. /atsh/


