
Trump: Asnjë vendim për të goditur brenda Venezuelës
Presidenti amerikan Donald Trump mohoi sot se kishte marrë një vendim për të goditur brenda Venezuelës si pjesë e një fushate ushtarake kundër karteleve të drogës.
“Ka raportime se po shqyrtoni goditje brenda Venezuelës. A është e vërtetë?”, e pyeti një gazetar Trumpin në bordin e “Air Force One”, ndërsa presidenti po fluturonte drejt Floridës për fundjavë.
“Jo”, u përgjigj Trump.
Kur u pyet sërish nëse ishte marrë ndonjë vendim, ai tha se “jo, nuk ishte e vërtetë”.
Gazetat “Miami Herald” dhe “Wall Street Journal”, duke cituar burime të informuara për çështjen, raportuan kohët e fundit se mund të ndodhin së shpejti goditje amerikane ndaj Venezuelës, duke synuar objekte ushtarake që dyshohet se përdoren për trafik droge.
Trump është zotuar vazhdimisht të ndërmarrë masa të ashpra kundër karteleve të drogës.
“Mendoj se ne thjesht do t’i vrasim njerëzit që sjellin drogë në vendin tonë, dakord?”, tha ai në fillim të javës. “Ne do t’i vrasim ata, e kuptoni? Ata do të jenë, si të thuash, të vdekur”.
Ai gjithashtu ngriti mundësinë e operacioneve tokësore pa përmendur në mënyrë të drejtpërdrejtë Venezuelën.
Aktiviteti në rritje ushtarak i SHBA-së ka nxitur frikë në Venezuelë për një sulm amerikan që synon rrëzimin e qeverisë autoritare të presidentit Nicolás Maduro. /atsh/

