
Tronditet Arsenalin: Saka një muaj jashtë fushës
Problemet me lëndimet vazhdojnë ta shqetësojnë Arsenalin.
Pas mungesës së Kai Havertz për shkak të një dëmtimi në gju, tani është Bukayo Saka ai që i shtohet listës së lojtarëve të padisponueshëm.
Ylli anglez u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 53-të të fitores 5-0 ndaj Leedsit, vetëm pak minuta pasi shënoi golin e dytë të ndeshjes për “Topçinjtë”.
Analizat mjekësore kanë konfirmuar një dëmtim në bicepsin femoral, që pritet ta mbajë 23-vjeçarin jashtë fushës për rreth një muaj.
Kjo do të thotë se Saka do të humbasë supersfidën ndaj Liverpoolit në “Anfield”, të dielën, si edhe dy ndeshjet e kombëtares angleze për kualifikueset e Botërorit – më 6 shtator kundër Andorrës dhe më 9 shtator ndaj Serbisë.
Kujtojmë se edhe sezoni i kaluar nuk ishte i lehtë për të, pasi humbi tre muaj të rëndësishëm për shkak të një dëmtimi të ngjashëm.
Mungesa e tij konsiderohet një goditje e rëndësishme për trajnerin Mikel Arteta, i cili e sheh Sakan si një nga lojtarët më vendimtarë në garën për titullin e Premier League.


