
Thirrja seancës për presidentin, përplasje pushtet-opozitë
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga ora 17:00 me të vetmen pikë të rendit të ditës, diskutimi për zgjedhjen presidentit të Republikës, ka përplasur në Kuvend deputetët e partisë në pushtet me ata opozitarë, ku është përfshirë edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ishte Time Kadrijaj e AAK-së, që kritikoi thirrjen e kësaj seance, duke thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
“Asnjëherë i 7-ti mandat nuk më ka ndodhur të thirret një seancë e të diskutohet për presidentin. Në parlament sillen emrat”, tha ajo.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeparlamentares Haxhiu, që tha se është pikërisht Kuvendi, vendi ku duhet të diskutohet kjo çështje.
“Unë nuk e di ku tjetër duhet të diskutohet për çështjen e presidentin nëse jo në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka ‘Zanzibara’ më, më falni. Prandaj lejojani deputetëve të ushtrojnë mandatin e tyre. Në këtë drejtim është e rëndësishme të jeni të pranishëm në seancën e orës 17:00, deri atëherë duke shpresuar që kemi emra kandidatë konsensual për president”, tha Haxhiu.
Arian Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së tha se krizë për ta zgjedhur presidentin, vendi nuk ka pasur kurrë më parë, e sipas tij, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve si rezultat i mungesës që të arrihet një konsensus në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje i ka 51.1% të votave.
“Nuk ka ‘Zanzibar’, po tash ka Dejonë. E Dejona me Albin Kurtin po e krijojnë në vazhdimësi krizën politike edhe po bëjnë keqmenaxhim. E kanë vazhduar avazin për me kapë secilin institucion edhe me e varfëruar popullin, me i varfëruar qytetarët e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi me tentu të ushtrojnë pushtet autoritar”, tha ai.
Kryetarja e kuvendit, e cila i replikoi Tahirit, tha se tash zgjedhja e presidentit është më e vështirë sepse, siç tha ajo nuk ka më tenderë e ambasada.
“E vazhdojmë këtë debat në ora 17:00, e natyrisht që tash është më e vështirë, sepse tash nuk ka më tenderë, e ambasada, e ju e dini më mirë se unë. Mos më shtini me i përmend se të gjithë e dimë”, tha Haxhiu. /rtk/


