
Tensionet SHBA-Izrael-Iran godasin tregun e naftës dhe transportin detar
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po përhapet gjithnjë e më shumë duke vënë në shënjestër cisternat e naftës, depot e karburantit dhe rrugët kryesore të transportit të energjisë. Sulmet e fundit kanë ndodhur pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
Dy cisterna të huaja nafte në ujërat irakiane u përfshinë nga flakët pas një sulmi iranian, ku mbeti i vrarë të paktën një person ndërsa 38 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan.
Sipas agjencisë detare të Mbretërisë së Bashkuar, tre anije u goditën nga predha pranë Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë bruto. Po ashtu, një anije kontejnerësh pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe u godit nga një “predhë e panjohur”, duke shkaktuar zjarr në bord. Vendet e G7 po shqyrtojnë mundësinë e shoqërimit ushtarak të anijeve në rajon për të garantuar sigurinë e transportit detar.
Tensionet janë përshkallëzuar edhe në tokë. Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se kreu një sulm të përbashkët me Hezbollahun kundër Izraelit, duke goditur më shumë se 50 objektiva gjatë pesë orëve të sulmeve të vazhdueshme. Në përgjigje, ushtria izraelite kreu sulme “në shkallë të gjerë” ndaj infrastrukturës së Hezbollahut në të gjithë Libanin, përfshirë kryeqytetin Bejrut.
Ndërkohë, vendet e Gjirit raportuan se kapën valë të reja dronësh dhe raketash iraniane, përfshirë edhe në Dubai, ku një dron ra pranë zonës luksoze Creek Harbour. /rtsh/


