Sylvinho përshëndetet me Shqipërinë: Gjeta një atdhe, faleminderit për gjithçka

Sylvinho përshëndetet me Shqipërinë: Gjeta një atdhe, faleminderit për gjithçka

Trajneri brazilian Sylvinho zyrtarisht ka konfirmuar largimin nga drejtimi i Kombëtares së Shqipërisë, duke i dhënë fund një periudhe trevjeçare e gjysmë në krye të kuqezinjve.

Në fjalën e tij lamtumirës, Sylvinho falënderoi stafin, futbollistët dhe drejtuesit e federatës për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe, të cilën e cilësoi si shumë të veçantë në karrierën e tij.

“Ju falënderoj të gjithëve, nga stafi im te presidenti, punonjësit e FSHF-së dhe futbollistët. Ishin tre vite e gjysmë të mrekullueshme ku arritëm shumë gjëra të bukura. Gjeta një atdhe dhe një vend që më priti mjaft mirë. I uroj suksese trajnerit të ri në punën në vazhdim”, deklaroi ai.

Edhe presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka, foli për përfundimin e bashkëpunimit, duke e cilësuar si mbyllje të natyrshme të një cikli të suksesshëm.

“Ishte mbyllja normale e një cikli të bukur. Ndahemi me respekt maksimal njerëzor për punën e kryer dhe rezultatet e arritura. Kemi zgjedhur trajnerin e ri për eksperiencën, profilin dhe kulturën e tij sportive prej 25 vitesh”, u shpreh Duka.

Largimi i Sylvinhos vjen pas një periudhe historike për Kombëtaren shqiptare, ku kuqezinjtë siguruan kualifikimin në Euro 2024 dhe rikthyen entuziazmin te tifozët shqiptarë.

Share This