Haziri reagon pas kthimit të Ligjit për Specialen

Haziri reagon pas kthimit të Ligjit për Specialen

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke theksuar se kërkesat e protestuesve për mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë mbeten të pandryshuara.

Përmes një reagimi publik, Haziri ka thënë se gjatë 21 ditëve dhe netëve të protestës në shesh, kërkesa e tyre e vetme ka qenë që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Po shoh shumë reagime e akuza pas kthimit të ligjit në Kuvend, prandaj dua ta sqaroj edhe një herë qëndrimin tonë. Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh. Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real. Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai”, ka shkruar ai në facebook, raporton rtk.

Sipas tij, do të vazhdohet ta përcjellin me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit.

“Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje. Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar. Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, tha ai.

Share This