
Sulmi në Ukrainë lë të paktën 12 të vrarë e 48 të plagosur, Zelensky: Thirrjeve për armëpushim, Rusia i përgjigjet me raketa
Të paktën 12 të vrarë dhe 48 të plagosur janë shënuar nga sulmet me dronë gjatë natës, por edhe nga raketat balistike që Rusia hodhi në drejtim të Ukrainës. Mes viktimave ka edhe tre fëmijë të moshave 2 deri në 17 vjeç.
Kievi pësoi dëmtime në ndërtesa banimi, si edhe në institucione publike, si zyra, kopshte fëmijësh dhe shkolla.
Për sulmin në kryeqytet, Forca Ajrore Ukrainase raportoi se u përdorën 598 dronë, mes tyre edhe dronë Shahed, si edhe 31 raketa, nga të cilat dy të kalibrit balistik Kh-47 Kinzhal, nëntë Iskander-M ose raketa balistike koreano-veriore KN-23 dhe 20 raketa të distancave të gjata Kh-101.
Presidenti Zelensky, i cili i dërgoi ngushëllime familjarëve të viktimave përmes platformës sociale “X”, deklaroi se Rusia po u përgjigjet thirrjeve për armëpushim me raketa.
Në ndërtesat e banimit në Kiev vijon të punohet për të nxjerrë personat e tjerë nga rrënojat. Në ndihmë kanë ardhur jo vetëm ekipet e shpëtimit, por edhe alpinistë, psikologë dhe inxhinierë. Po përdoren edhe pajisje robotike për të pastruar zonën, që ekipet të punojnë më shpejt.
Në total janë angazhuar 500 ekipe shpëtimi dhe 1 mijë oficerë policie. Sipas ministrit të brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, “çdo minutë e punës ka për qëllim shpëtimin e jetëve nga terrori rus”. /rtsh/


