
Sulmet ajrore ruse godasin Kievin: 6 të vrarë, mes tyre një fëmijë – Zelensky kërkon përshpejtim negociatash
Të paktën gjashtë persona, përfshirë një fëmijë gjashtëvjeçar dhe nënën e tij, humbën jetën nga sulmet ajrore ruse ndaj Kievit në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Të paktën 82 persona të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve ukrainase.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia ka lëshuar mbi 300 dronë dhe tetë raketa, duke goditur ndërtesa banimi në kryeqytetin ukrainas.
“Sot bota e ka parë edhe një herë përgjigjen e Rusisë ndaj dëshirës sonë për paqe me Amerikën dhe Evropën. Paqja pa forcë është e pamundur,” tha Zelensky në një deklaratë publike.
Ai i bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të shtojnë presionin ndaj Moskës dhe të nxisin një tryezë të vërtetë negociatash.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i kërkoi Donald Trump-it, presidentin aktual të SHBA-së, të mos presë deri më 8 gusht, por të përshpejtojë angazhimet dhe negociatat për paqe.
“Putini nuk kërkon paqe. Ai e ushqen pushtetin e tij përmes luftës dhe shkatërrimit. Është koha të ndjejë pasojat e veprimeve të tij. Është koha të koordinohen sanksionet dhe të ushtrohet presion maksimal ndaj Moskës,” u shpreh Sybiha.
Rusia, nga ana tjetër, mohoi se ka synuar civilët, ndonëse ka intensifikuar sulmet ndaj qyteteve larg vijës së frontit në muajt e fundit.
Presidenti Trump ka paralajmëruar më herët se SHBA do të vendosë tarifa dhe masa të reja ndaj Rusisë, nëse Moska nuk tregon përparim në drejtim të përfundimit të konfliktit në Ukrainë.


