
Trump thotë se Izraeli “nuk e ka bindur kurrë” për luftën me Iranin
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në Truth Social se Izraeli “kurrë nuk e ka bindur” për përfshirje në luftën me Iranin.
Ai tha se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 kanë forcuar edhe më shumë bindjen e tij “të përhershme” se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.
Pa e thënë drejtpërdrejt, Trump i është përgjigjur një narrative që po qarkullon në SHBA, sipas së cilës Izraeli ka ndikuar në administratën amerikane për të ndërmarrë sulme ndaj Iranit për qëllimet e veta.
Sipas “New York Times”, disa këshilltarë të afërt të Trump, përfshirë edhe kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjeneral Dan Caine, kanë shprehur shqetësime për një skenar të paraqitur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu para fillimit të operacionit.
Ndërkohë, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, ka deklaruar në dorëheqjen e tij dhe më pas publikisht se beson që Izraeli ka përdorur kanale të fshehta për të bindur administratën amerikane që të ndërmarrë sulmet për të arritur objektivat e veta.
Trump dhe Shtëpia e Bardhë i kanë mohuar vazhdimisht këto pretendime.
Në të njëjtin postim, presidenti amerikan sulmoi edhe mediat, duke i quajtur “gënjeshtra dhe histori të sajuara”, duke shtuar se “rezultatet në Iran do të jenë të jashtëzakonshme”. / Burimi: BBC


