Sportistët e Kosovës parakalojnë në ceremoninë hapëse të ‘Taranto 2026’

Sportistët e Kosovës parakalojnë në ceremoninë hapëse të ‘Taranto 2026’

Delegacioni i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, e cila po mbahet në stadiumin “Erasmo Iacovone” në Taranto të Italisë.

Sportistët dhe përfaqësuesit e delegacionit kosovar me flamurin e shtetit tonë po defilojnë në hapjen e edicionit të 20-të të Lojërave Mesdhetare.

Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet në Taranto në mbështetje të delegacionit dhe sportistëve kosovarë.

Pjesëmarrja e Haxhiut i jep një rëndësi të veçantë përfaqësimit institucional të Kosovës në ceremoninë hapëse, e cila mbledh në Itali delegacione nga 26 shtete.

Kosova në “Taranto 2026” përfaqësohet me 163 sportistë, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte.

Për herë të parë, Kosova do të ketë pjesëmarrje edhe në katër sporte ekipore: futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për sportin kosovar.

Ceremonia e hapjes në stadiumin “Iacovone” shënon nisjen zyrtare të Lojërave Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen deri më 3 shtator.

Pas parakalimit të delegacioneve, sportistët kosovarë do t’i drejtohen garave, ku synojnë paraqitje sa më të mira dhe rezultate pozitive në disiplinat përkatëse.

Për Kosovën, “Taranto 2026” paraqet një tjetër mundësi për të dëshmuar potencialin e sportistëve të saj në arenën ndërkombëtare, ndërsa prania e delegacionit të madh dhe pjesëmarrja në sportet ekipore e bëjnë këtë një edicion të veçantë për vendin.

Kosova tashmë është gati për sfidat në ‘Taranto 2026’.

Share This