
Spiropali takon kryediplomaten Kallas në Bruksel: Shqipëria një faktor sigurie rajonale, konfirmohet linjëzimi me BE
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua pasditen e së hënës në Bruksel me Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas. Takimi u fokusua në rolin aktiv dhe strategjik të Shqipërisë brenda agjendës evropiane.
Ministrja Spiropali theksoi para Kallas angazhimin e mëtejshëm të Tiranës si “faktor sigurie rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së”. Një pikë kyçe e diskutimit ishte linjëzimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Shqipërisë me politikat e Unionit, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor, investim strategjik
Gjatë dialogut, Spiropali shprehu bindjen e saj të plotë se integrimi i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë anëtarësimin e Kosovës, përbën një “investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin evropian.”
Nga ana e saj, Kryediplomatja Kaja Kallas vlerësoi lartë ecurinë e Shqipërisë. Ajo përsëriti vlerësimin pozitiv për linjëzimin e plotë të Tiranës me politikën e jashtme të BE-së dhe për seriozitetin me të cilin vendi është angazhuar në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Ndihmë financiare për modernizimin ushtarak
Si një dëshmi konkrete e partneritetit strategjik, Ministrja Spiropali falënderoi Kallas për dy paketat e fundit të ndihmës financiare nga BE, në vlerën e përbashkët prej 28 milionë eurosh. Kjo mbështetje financiare është dedikuar për fuqizimin dhe modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Takimi në Bruksel konfirmoi pozicionin e Shqipërisë si një aleat kyç i stabilitetit rajonal dhe një vend i përkushtuar ndaj agjendës evropiane. /rtsh/


