Slot: Humbjet e shumta e rëndojnë ekipin, e vështirë sfida me Chelsea-n

Slot: Humbjet e shumta e rëndojnë ekipin, e vështirë sfida me Chelsea-n

Arne Slot ka folur për mediat në prag të përballjes së Liverpool-it ndaj Chelsea-t këtë fundjavë, duke pranuar se skuadra e tij nuk po kalon moment të mirë në Premier League.

Liverpool u ndal javën e kaluar pas tri fitoreve radhazi, duke humbur 3-2 ndaj Manchester United. Pavarësisht këtij rezultati, skuadra mbetet në vendin e katërt në tabelë, me një avantazh prej gjashtë pikësh ndaj Bournemouth dhe shtatë ndaj Brentfordit në garën për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Slot ka pranuar se humbjet e shumta këtë sezon kanë ndikuar në vetëbesimin e lojtarëve, duke theksuar se në një klub si Liverpool, mungesa e rezultateve pozitive ndihet më shumë. Sipas tij, skuadra ka pasur ndeshje ku ka luajtur mirë, por nuk ka marrë pikët e merituara, sidomos në kampionat, ndërsa në Champions League ka paraqitur nivel më të mirë, por është eliminuar pas dueleve të ngushta, përfshirë edhe episode të diskutueshme me VAR.

“Është normale që humbjet e shumta e rëndojnë ekipin, sidomos në një klub si Liverpool ku lojtarët janë mësuar të fitojnë”, tha Slot.

Duke folur për ndeshjen ndaj Chelsea-t, trajneri i Liverpool-it ka paralajmëruar se nuk pret një kundërshtar të dobët, pavarësisht formës së tyre të dobët në kampionat, ku londinezët kanë humbur gjashtë ndeshjet e fundit radhazi. Ai ka theksuar se Chelsea mund të forcohet me rikthimin e disa lojtarëve dhe se në përgjithësi mbetet një skuadër me individë cilësorë dhe identitet të qartë të lojës.

Slot shtoi se Chelsea ka ndryshuar disa herë trajner këtë sezon, por stili aktual i lojës i afrohet më shumë ideve të mëparshme të Enzo Maresca-s, me një sistem të qartë dhe shpesh me tre mbrojtës në vijën e fundit.

“Chelsea është një kundërshtar shumë i vështirë, pavarësisht formës së tyre të fundit. Ata mund të rikthejnë disa lojtarë dhe kjo i bën më të fortë”, theksoi ai.

“Çdo trajner ka idenë e vet për futbollin, dhe Chelsea tani ka një identitet të qartë loje. Zakonisht luajnë me tre mbrojtës dhe kanë shumë cilësi individuale, ndaj duhet të jemi në nivel të lartë si ekip”, përfundoi Slot.

Share This