
S’ka minuta për Zhegrovën, Juve deklason Napolin, rikthehet në top katërshen e Serie A
Juventusi ka regjistruar një fitore bindëse ndaj Napolit, duke triumfuar me rezultat 3-0 në “Allianz Stadium”, fitore që e ngjit “Zonjën e Vjetër” sërish në top katërshen e Serie A.
Pas humbjes ndaj Cagliarit që i dha fund serisë prej gjashtë ndeshjesh pa humbje në kampionat, bardhezinjtë u rikthyen fuqishëm, duke treguar intensitet të lartë që nga minutat e para. Rastet e para erdhën përmes Francisco Conceiçaos dhe Weston McKennie, ndërsa goditja e Khéphren Thuram u ndal nga traversa.
Superioriteti i Juventusit u konkretizua në minutën e 22-të, kur Jonathan David realizoi një gol të bukur pas kontrollit me gjoks, duke kurorëzuar dominimin vendasve. Juventusi ishte pranë golit të dytë para pushimit, por Alessandro Buongiorno shpëtoi Napolin nga vija fatale.
Në pjesën e dytë, ritmi i lojës ra, me Juventusin që menaxhoi epërsinë dhe neutralizoi përpjekjet e Napolit. Me rreth 15 minuta të mbetura, Kenan Yıldız shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes kundërshtare dhe me qetësi realizoi golin e dytë, duke vulosur fatin e ndeshjes.
Fitorja u bë edhe më e thellë në minutat e fundit, kur zëvendësuesi Filip Kostic shënoi nga distanca, për rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo humbje përbën një goditje serioze për ambiciet e Napolit për titull, pasi skuadra nga Napoli tani është nëntë pikë larg liderit Inter, me 16 ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar.
Ndërkohë, Juventusi vazhdon garën për një vend në Ligën e Kampionëve. /Rekordi.net


