
Sinner bën historinë, italiani parë që triumfon pas 50 vitesh në Roma Masters
Jannik Sinner e ka fituar sot turneun prestigjioz Roma Masters, pasi në finale mposhti Casper Ruud me rezultat 6:4, 6:4, duke u bërë italiani i parë që triumfon në këtë garë pas plot 50 vitesh, që nga koha e Adriano Panatta.
Tenisti numër një në botë zhvilloi një paraqitje shumë të fortë në fushat me baltë të Foro Italico, duke konfirmuar formën fantastike vetëm pak ditë para nisjes së French Open.
Me triumfin në kryeqytetin italian, Sinner hyri në histori si vetëm lojtari i dytë pas Novak Djokovic që arrin të fitojë të nëntë turnetë e serisë Masters 1000, kompeticionet më të mëdha të tenisit pas Grand Slam-eve.
Italiani 24-vjeçar po kalon një sezon të jashtëzakonshëm dhe aktualisht numëron 29 fitore radhazi. Humbjen e fundit e ka pësuar më 19 shkurt, kur u eliminua nga Jakub Mensik në çerekfinale të Qatar Open.
Sinner ka bilanc perfekt 17-0 në fushat me baltë këtë sezon dhe konsiderohet favorit kryesor për triumf në Roland Garros, sidomos pas mungesës së rivalit të tij më të madh, Carlos Alcaraz, i cili aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në kyçin e dorës së djathtë.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, titullin në Romë e fitoi Elina Svitolina, e cila në finale triumfoi ndaj Coco Gauff.

